Promovohen dy vëllimet e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës

82

PRISHTINË, 25 shtator /ATSH/ Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës sot u promovuan dy vëllimet e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës.

Në këtë fjalor, në të cilin Kosova përfshihet si etnitet i veçantë politik, gjeografik, historik, ekonomik, arsimor dhe kulturor, punuan 72 studiues dhe 506 autorë, me kryeredaktor akademikun Mehmet Kraja. Aty po ashtu janë përfshirë shqiptarët e Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës.

Kraja tha se për punimin e këtij fjalori kanë bashkëpunuar pesë vite, duke shtuar tutje se arritja më e madhe e këtij botimi është identifikimi i lëndës enciklopedike dhe krijimi i një baze të të dhënave.

Sipas tij, ky botim dëshmon se akademia ka potencial solid për projekte të tilla.

Këtë fjalor, kryetari Nexhat Daci e vlerësoi si projektin më të madh të Akademisë. “Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës realizoi projektin më të madh të kësaj akademie, me shumë mundim por edhe me shumë sukses. Shpresoj fuqishëm që kësaj radhe do të kemi sukses që të bëjmë enciklopedinë shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri, e jo dy enciklopedi të ndara”, ka thënë Daci.

Në përgatitjen e këtij fjalori ka punuar redaksia qendrore e përbërë prej akademikëve Pajazit Nushi, Ali Aliu, Zeqirja Ballata, Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Fejzullah Krasniqi dhe Mehmet Kraja.

Organizatorët kanë njoftuar se në këtë akademi do të formohet një redaksi e përhershme që vazhdimisht do të merret me përditësimin e të dhënave për botimin e dytë të fjalorit. /KosovaPress/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.