“Mobile Homme”, shfaqje muzikore dhe akrobacie në sheshin ”Skënderbej”

TIRANË, 25 shtator /ATSH/ – Ambasada franceze ka ftuar në Tiranë kompaninë “Transe Express” e themeluar më 1982, e cila konsiderohet si një nga kompanitë më të rëndësishme në Francë dhe në Europë të cirkut dhe performancës, të prezantojë shfaqjen e saj “Mobile Homme”, më 29 shtator në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë.

Kjo kompani performon në ambiente të hapura dhe është e specializuar në artin “qiellor”, në lartësi dhe qiell të hapur, dhe eksplorojnë të gjitha zhanret artistike dhe format e të shprehurit në spektaklet e tyre: muzika, kërcimi, artet plastike, performancat, cirku, loja me zjarr, metalurgjia, teatri.

Spektakli “Mobile Homme” zhvillohet në tokë, ku debutojnë muzikantë, performues cirku dhe valltarë, dhe në ajër mbi një vinç 40 metra lart nga toka, ku disa nënoficerë i bien baterive e daulleve në një fanfare qiellore.

Kjo shfaqje është shfaqur në gjithë botën, nga Parisi në Nju-Jork, nga Europa në Azi. Më 29 shtator në ora 17:30 në shesh shfaqja do të jetë falas për publikun./a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.