FOTO – Turistët gjermanë vizitojnë Parkun Kombëtar të Llogorasë

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ – Parku Kombëtar i Llogorasë, në jug të qytetit të Vlorës, në një distancë prej 40 km është i vizitueshëm në çdo stinë të vitit. Ai është kthyer në një atraksion turistik nga turistët vendas dhe të huaj.

Gjatë ditës së sotme një grup turistësh gjermanë vizituan qendrën e vizitorëve të Parkut Kombëtar Llogora.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në Vlorë bën të ditur se kjo qendër ishte ndalesa e tyre, pasi u kthyen nga shtegu Llogora – Qafa e Thellë.

Gjatë qëndrimit në qendrën e Parkut Kombëtar Llogora turistët gjermanë u njohën me historinë dhe arritjet e këtij parku.

Parku i Llogorasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh. Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare.

Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2018 metra mbi nivelin e detit. Në këtë territor shtrihen disa fshatra turistikë si Palasa, Dhërmiu, Vunoi etj, që gjatë stinës së verës janë të populluar nga turistët vendas e të huaj.

Ai është një pikë ideale edhe për ushtrimin e sporteve verore e dimërore si ngjitje në lartësi, ecje në natyrë, njohje me historinë dhe me monumentet e natyrës dhe të kulturës, por edhe për sporte ajrore ku në shpatin e malit që shikon nga deti është përshtatur një pistë fluturimi për amatorët dhe profesionistët e fluturimeve me mjete të ndryshme sportive. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.