TIRANË, 25 shtator/ATSH/ – Numri i përgjithshëm i udhëtarëve që shfrytëzojnë lundrimin me tragete, që nga fillimi i këtij muaji ka arritur në afro 71 mijë, ndërsa i autoveturave në mbi 14 330 autovetura.
Nga të dhënat operative të APD, mësohet se në periudhën 1-24 shtator të këtij viti kanë lundruar me tragetet e linjës Durrës-Bari e Durrës-Ankona 51 793 udhëtarë me 10 296 autovetura, ndërsa pjesa tjetër, disa herë më e vogël në numër ka mbërritur nga portet italiane në Durrës, saktësisht 19 145 udhëtarë dhe 4 061 autovetura.
Gjatë së njëjtës periudhë tragetet janë shfrytëzuar nga bizneset e ndryshme për transportin e mallrave me kamionë dhe trajlerë, gjithsej 5 174 të tillë.
Sipas APD, shifrat e udhëtarëve dhe autoveturave që shfrytëzojnë lundrimin me tragete, në gjysmën e dytë të muajit shtator kanë rënë ndjeshëm pas përfundimit të pushimeve verore të bashkëatdhetarëve pranë familjeve të tyre.
Gjatë muajve korrik-gusht të këtij viti tragetet u shfrytëzuan nga 384 mijë udhëtarë gjithsej./k.s/ /a.g/