7 muaj hetim, finalizohet operacioni policor “Extra Service”

TIRANE, 25 shtator/ATSH/- Arrestohen në kryeqytet 3 administratorë qendrash masazhi ku ushtrohej prostitucion. Ndërsa një person shpallet në kërkim.

Ata akuzohen për veprat penale “Shfrytëzim Prostitucioni” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune hetimore 7-mujore, finalizuan operacionin policor të koduar “Extra Service” dhe u arrestuan shtetasit H. D. 33 vjeç, banues në Tiranë. A. M., 28 vjeçe, banuese në Tiranë dhe shtetasen me iniciale L. Q. 34 vjeçe, banuese në Tiranë. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi me iniciale M.M. 43 vjeç, banues në Tiranë.

Ambientet e qendrave të masazhit që administronin, këta persona i përdornin për të ushtruar prostitucion me vajza të punësuara në këto qendra.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë edhe 7 punonjëse, të cilat akuzohen për ushtrim prostitucioni.

Në njoftimin e policisë së Tiranës thuhet se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale DVR, kamera vëzhguese, aparate celularë dhe 4 ambiente ku ushtrohej ky aktivitet.

/o.l/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.