Rruga “Dallëndyshet” në Shkozet do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë

TIRANË,24 shtator /ATSH- I. Vata/ – Bashkia e Durrësit ka hapur procedurat e tenderimit për segmentin rrugor “Dallëndyshet” në Shkozet, një investim për të cilin është vënë në dispozicion një fond limit prej 12.4 milionë lekë.

Bashkia Durrës shprehet se rruga “Dallëndyshet” në Shkozet do t’i nënshtrohet së shpejti rikonstruksionit. Ndërhyrjet përfshijnë shtrimin e rrugës më asfalt dhe ndërtimin e trotuareve të rrugës. Po ashtu, në këtë segment rrugor është parashikuar të ndërtohet edhe një kolektor për sistemimin e ujërave.

“Rruga është parashikuar të ruajë përgjithësisht gjurmët ekzistuese, me qëllim ruajtjen e objekteve të banimit pranë saj. Ky investim paraqet një interes në rritjen e mirëqenies së komunitetit që banon pranë kësaj zone. Sa i takon kohëzgjatjes së kontratës, është  parashikuar një periudhë kohore prej 120 ditë që nga nënshkrimi i saj”, shprehet bashkia. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.