Nënshkruhet marrëveshja qeveritare për Fondin e Garantimit të Kredive Rurale

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, dhe Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, nënshkruan këtë të hënë, Marrëveshjen Qeveritare për Fondin e Garantimit të Kredive Rurale (RCGF).

Kjo marrëveshje hap rrugën për një grant të qeverisë gjermane prej 5 milionë euro përmes bankës gjermane për zhvillim KfW.

Në fjalën e saj, Ambasadorja Schütz theksoi faktin që RCGF është një mekanizëm i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm për të përmirësuar kushtet e jetesës, sidomos në zonat rurale, si edhe për të lehtësuar investimet private.

Ky fond është një nga elementët e mbështetjes së gjerë politike dhe ekonomike që Gjermania i jep Shqipërisë në rrugës e saj drejt Bashkimit Europian. Themelimi i RCGF u mbështet fillimisht nga Bashkimi Europian përmes bankës gjermane për zhvillim KfW, me një fond fillestar prej 5 milionë eurosh.

Fondacioni për Garantimin e Kredive Rurale (RCGF) u themelua më 8 korrik 2015, me qëllim lehtësimin e aksesit në financime për fermerë dhe sipërmarrës shqiptarë në zonat rurale, të cilët kanë pak ose aspak kolateral. RCGF mbështet institucionet financiare partnere të tij përmes një mekanizmi për ndarjen e riskut.

Fondacioni për Garantimin e Kredive Rurale është ngritur si një fondacion i vetëqëndrueshëm, çka nënkupton që çdo e ardhur e gjeneruar nga tarifat që aplikohen për garancitë e lëshuara dhe nga interesat nga investimi i kapitalit garantues përdoret për të mbuluar humbjet e pritshme si edhe shpenzimet operacionale.

Që nga momenti i themelimit të tij në 2015 e deri më tani RCGF ka garantuar më shumë se 1200 huamarrës, e përkthyer kjo në një shumë mbi 5.4 milionë euro investime në bujqësi dhe zonat rurale.

Granti i qeverisë gjermane do t’i mundësojë RCGF-së të zgjerojë aktivitetin e tij si edhe hapjen e një “dritareje të gjelbër” për të mbështetur specifikisht investime në eficiencën e energjisë dhe energjitë e rinovueshme në zonat rurale.

KfW është një bankat për zhvillim lider në botë. Me eksperiencën e saj shumëvjeçare KfW është e angazhuar që në emër të Republikës Federale Gjermane të përmirësojë kushtet ekonomike, sociale, ekologjike si edhe kushtet e jetesës në mbarë botën.

Në Shqipëri KfW zbaton bashkëpunimin financiar dhe siguron grante dhe kredi të buta për investime kyçe në infrastrukturë dhe shërbime konsulence që lidhen me projekte të ndryshme. Bashkëpunimi Gjermano-Shqiptar filloi në vitin 1988.

Që nga ai vit qeveria gjermane ka angazhuar një shumë totale prej mbi një miliard euro, duke mbështetur Shqipërinë në sektorë kyç si energjia, insfrastruktura bashkiake dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. /m.z/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.