Kulinaria shqiptare dhe tradita, bashkë me vizitorët në Kalanë e Krujës

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ – Kulinaria shqiptare u promovua në Kalanë e Krujës në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, në një festë e cila titullohej “Food Fair at the Castle” (Ushqim dhe Panair në Kala).

Gratë dhe vajzat krutane për një ditë të vetme promovuan shijen më të zgjedhur të gatimeve tradicionale për qindra vizitorë të qytetit historik. Panairi, i hapur në këtë festë u shoqërua në mënyrën më origjinale nga muzika tradicionale dhe repertori i papërsëritshëm i Pleqve të Krujës, që si gjithmonë në raste të tilla krijojnë një atmosferë unike.

Vizitorët e huaj, por dhe vendas, të cilët janë të shumtë në qytetin historik të Krujës kanë shijuar gatimet tradicionale të zonës dhe janë argëtuar nën shoqërinë e njëri-tjetrit me valle dhe duke shijuar ritmet e muzikës tradicionale, si dhe nuk kanë munguar dhe shëtitjet turistike në vendet të cilat kanë histori, si në muze dhe te Pazari i Krujës.

Festa të tilla kanë qëllim promovimin e zonës ku zhvillohen për të treguar karakteristikat dhe vlerat e tyre si dhe për të tërhequr sa më shumë vizitorë të huaj të cilët çdo vit e më shumë po shfaqin interes mbi vendet të cilat kanë histori dhe trashëgimi kulturore.

Aktivitetet u organizuan nga Kruja Hospitality në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, muzeve të Krujës, bashkisë Krujë, AADF, TID Kruja dhe bizneset lokale turistike në kalanë e qytetit. /a.a//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.