Kapet në kohë rekord autori i vendosjes së një eksplozivi

TIRANË, 24 shtator/ATSH- A. Fortuzi/ – Policia Vendore e Kukësit dokumenton, identifikon dhe arreston në kohë rekord autorin e dyshuar të vendosjes së eksplozivit në një shtyllë elektrike.

Për zbardhjen e ngjarjes u angazhua një grup i posaçëm i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe Komisariatit të Policisë Kukës, ku pas hetimeve intensive të pandërprera, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes. Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Kukës, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Feim Lugja, 20 vjeç, banues në fshatin Kalimash.

Arrestimi i tij u bë pasi në datë 23.09.2018, në fshatin Kalimash, ka vendosur një sasi lënde plasëse në një shtyllë tensioni që furnizonte me energji elektrike ish-fabrikën e Kromit, ku për pasojë është dëmtuar shtylla.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në banesën e tij u gjet 32 m fitil zjarrpërcjellës, si dhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike, Cannabis Sattiva. Në vendin e ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 6 m fitil zjarrpërcjellës, i ngjashëm me atë që u gjet në banesën e tij.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Prodhimi, mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.