Foto/ Evitimi i përmbytjeve, ndërhyrje në nënstacionin elektrik të Qarrit

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Mbrojtja e nënstacioneve elektrike nga vërshimet e ujërave, sidomos në zona që preken çdo vit nga përmbytjet, ka qenë në fokus të punës së bashkisë së Fierit.

Investimet e bashkisë janë shtrirë në fshatin Qarr, një prej fshatrave më të rrezikuar nga dalja nga shtrati e lumit Vjosa në Fier.

Konkretisht po ndërtohen barriera duke eliminuar çdo rrezik që mund t’i afrohet nënstacionit elektrik gjatë stinës së reshjeve masive.

Nga përmbytjet e dhjetorit 2017, një pjesë e banesave të këtij fshati u izolua nga uji, ndërsa problem ishte furnizimi me ujë dhe energji elektrike, për shkak të vërshimit të ujit në nënstacionin elektrik.

Për t’i paraprirë kësaj situate, bashkia e Fierit po kryen ndërhyrjet e nevojshme në zonat më të rrezikuara.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.