FOTO/ Panairi i mjaltit në Librazhd bashkon 160 fermerë

TIRANE, 23 shtator/ATSH/- Në Librazhd u zhvillua për të dytin vit radhazi panairi i mjaltit nga Bashkia e Librazhdit dhe World Vision.

Këtë vit në panair morën pjesë 160 fermerë duke sjellë jo vetëm mjaltë cilësor, por edhe produkte të tjera bio të zonës.

Zona e Librazhdit është një ndër prodhuesit më të mëdhenj, por edhe më cilësor të mjaltit në vend. Janë 6 mijë koshere në të gjithë territorin ku qindra fermerë vazhdojnë traditën e tyre në prodhimin e mjaltit.

“Duke nisur që nga Parku Kombëtar i Shebenikut e deri në Sopot, zona është e virgjër dhe e pasur me bimësi ç’ka i siguron bletës ushqim të pastër dhe për pasojë mjaltë cilësor. Jam i bindur që mjalti më i mirë i gështenjës është ai i Gurakuqit”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Shumë vizitorë nga zona të ndryshme të ndryshme të Shqipërisë vizituan Panairin e Mjaltit në Librazhd, ndërkohë që cilësia e tij dhe mirëorganizimi premtojnë një panair edhe më të madh vitin e ardhshëm.

Iniciativa të tilla, shërbejnë si një orientim për banorët e zonës drejt zhvillimit të agro-biznesit, pa harruar se një rëndësi të madhe ka edhe mbështetja e Qeverisë për kultivuesit e bletës përmes skemave të AZHBR-së, e cila ka bërë të mundur rritjen e interesimit të banorëve për këtë kulturë. /o/l/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.