Transferimet e prokurorëve, opozita padit Kryeprokuroren Arta Marku

TIRANE, 21 shtator/ATSH/ – Opozita paditi sot Prokuroren e Përgjithshme Arta Marku për largim të paligjshëm të prokurorëve që hetojnë ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, me qëllim mbylljen e hetimit ndaj tij.

Kallëzimi u depozitua në Prokurorinë e Tiranës, nga kryetarët e grupeve parlamentare të PD – LSI, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili.

Në kallëzim thuhet se “Arta Marku ka ndërmarrë veprime aktive që kanë shkaktuar pasoja të rënda për funksionimin e organit të Prokurorisë”.

Opozita i cilëson lëvizjet e prokurorëve si të paligjshme dhe të urdhëruara politikisht.

“Arta Marku ka ndërhyrë në mënyrë aktive për dështimin e hetimeve ndaj tij, – shprehet opozita në kallëzimin penal. – Fillimisht, largoi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, duke komanduar si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, znj. Elisabeta Imeraj dhe më pas, transferoi edhe prokurorin tjetër të çështjes, Besim Hajdarmataj nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Pogradecit”, shkruhet në kallëzimin e opozitës. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.