Inspektim Xhamisë së Plumbit në Shkodër para restaurimit

TIRANË,21 shtator /ATSH/ – Specialistë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës së bashku me specialistë të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, realizuan një inspektim në Xhaminë e Plumbit, në kuadër të projektit “Restaurimi i Xhamisë së Plumbit”, i cili pritet të nisë së shpejti.

Projekti i hartuar nga studio “Ecolimarlik” me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve në Turqi, parashikon zgjidhjen përfundimtare të problematikës kryesore, asaj të drenazhimit dhe sistemimit të ujërave të territorit përreth, por dhe ndërhyrje konservuese, restauruese dhe ndriçim të objektit.

Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitet 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatlliu, ajo është shpallur Monument Kulture në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane.

Ajo është e ngritur në një fushë midis lumit të Drinit dhe kodrës së Kalasë së Rozafatit. Arkitektura e saj interesante përbëhet nga një sallë lutjeje në formë katrore, nga portiku i mbyllur në veri i rrethuar me harqe, në qoshen jugperëndimore gjendet tyrbja në formë katrore dhe minarja. Në anë të sallës kryesore të lutjes, jashtë dallohen dy ballkone në formë portiku, të rrethuar me harqe në formë galerie, që rrallë ndeshet në xhami të tjera. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.