HELSINKI – Shefi i diplomacisë finlandeze mbetet në detyrë pas votëbesimit në Parlament

HELSINKI, 21 shtator /ATSH-AFP/ – Parlamenti finlandez konfirmoi sot qëndrimin në postin e ministrit të Punëve të Jashtme, Timo Soini në përfundim të votëbesimit, pas pjesëmarrjes së kreut të diplomacisë në një tubim kundër abortit në Kanada, një veprim i denoncuar nga opozita pasi mund të konsiderohej si qëndrim ”zyrtar”.

Timo Soini, anëtar i partisë ”Reforma Blu” (euroskeptike) mori mbështetjen e 100 deputetëve në Parlamentin me 200 vende. Gjashtëdhjetë deputetë votuan kundër.

Mocioni i mosbesimit u depozitua nga katër parti të opozitës, sipas së cilëve pjesëmarrja e Soini në një tubim anti-abort në maj të jepte përshtypjen se ministri i Punëve të Jashtme kishte vepruar si zyrtar i politikës finlandeze.

Të martën, prokurori i përgjithshëm, përgjegjës për zbatimin e ligjeve veçanërisht nga ministrat, konfirmoi se pjesëmarrja e Timo Soini në këtë tubim ishte ”problematike” duke marrë në konsideratë argumentin e mbrojtur nga partitë e opozitës./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.