Fier – Bashkia, punime në lagjet dhe blloqet e pallateve

TIRANË, 21 shtator/ATSH/- Bashkia e Fierit me moton e saj: “Më shumë investime për cilësi më të mirë jetese”, ka nisur punën në lagjet dhe blloqet e pallateve të qytetit.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, bën të ditur se “filluam punën në brendësi të lagjeve dhe në blloqet e pallateve. Aty ku ndodhet qytetari, prezenca jonë me shërbime dhe investime do të jetë gjithmonë në rritje”.

Rikonceptimi i blloqeve të brendshme, si dhe rirregullimi i rrugëve të brendshme të qytetit është një nga projektet mbi të cilat po bazohet puna e bashkisë së Fierit.

Gjatë vitit 2018, Bashkia ka kryer disa investime në rrugët e qytetit, duke i dhënë një pamje mbresëlënëse qytetit, në jug të vendit. Përveç rikonstruksionit të rrugëve edhe dekorimi i pallateve, si dhe lulishtet shumëngjyrëshe kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve, të cilët vlerësojnë punën e bërë nga bashkia, që falë projekteve të saj po i transformon lagjet e këtij qyteti.

Qyteti i Fierit renditet i treti në Shqipëri për nga rëndësia ekonomike. Ka një ekonomi të fuqishme dhe është qendra e Shqipërisë përsa i përket industrive të naftës, bitumit dhe bujqësisë. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.