Berat, punime intensive në kanalet kulluese për parandalimin e përmbytjeve

TIRANË, 21 shtator/ATSH/- Në Berat po kryhen një sërë punimesh në kanalet kulluese në kuadër të masave paraprake për parandalimin e përmbytjeve gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit.

Prefekti i qarkut të Beratit, Harilla Dafa, tha për ATSH-në se “drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Korçë aktualisht po punon në kanalin e Shahinovës, i cili transferon ujërat e hidrovorit të Konisbaltës, me gjatësi 12 km dhe me një volum 36 mijë metra kub”.

Sipas tij, ky kanal kullon gjithashtu tokat bujqësore të njësisë administrative Poshnje.

“Punimet kanë një muaj që kanë filluar dhe pritet të përfundojnë brenda muajit tetor”, shtoi Dafa.

“Gjatë këtij viti janë kryer pastrime në kanalin kryesor në Kutalli, i gjatë 8 km, me një volum pune prej 7 mijë metra kub pastrimi. Ky kanal kullon gjithë zonën e Kutallisë, në të cilin vitin e kaluar ka pasur probleme gjatë muajve nëntor, dhjetor, si dhe në shkurt të këtij viti si pasojë e përmbytjeve”, nënvizon Dafa.

Prefekti Dafa thekson se drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Korçë ka përfunduar edhe pastrimin e kanalit të vaditjes në Berat-Ujë Vargurore me gjatësi 11 km dhe me një volum 15 mijë metra kub”.

Punimet në këto kanale do i japë zgjidhje problemit të vaditjes dhe kullimit të tokave bujqësore në Berat. /k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.