Bashkia e Tiranës do të mbjellë edhe këtë vit 100 mijë pemë

TIRANE, 21 shtator/ ATSH/ – Përpara nxënësve të shkollave 9-vjeçare të Tiranës, për Ditën e Bashkëpunimit Europian në Tiranë, kryebashkiaku Erjon Veliaj tha se do të mbjellë 100 mijë pemë të reja.

Kreu i bashkisë theksoi se pas suksesit të dy viteve të para, Tirana do të rinisë fushatën e madhe të mbjelljes së 100 mijë pemëve, për të vijuar revolucionin e gjelbër për kryeqytetin për të tretin vit radhazi.

Erion Veliaj ftoi qytetarët t’i bashkohen nismës pozitive për qytetin.

“Në qoftë se secili prej jush do të mbjellë një pemë për ditëlindje, Tirana mund të ketë edhe 100 pemë të tjera, ashtu si edhe 100 mijë pemët që mbollëm vjet”, – theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku vuri ne dukje edhe faktin se Tirana është qyteti i parë në Ballkan që i është bashkuar nismës për ndalimin e përdorimit të qeseve plastike në markete apo supermarkete.

Aktivitet u organizua nga Programi Interreg V-B “Balkan-Mediterranean 2014-2020, bashkia e Tiranës dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme. /o.l/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.