Basha: Vetingu i politikanëve, zgjidhja për integrimin e Shqipërisë në BE

82

TIRANË, 21 shtator /ATSH – I. Vata/ – “Shqipëria e humbi shansin e integrimin në BE sepse politika është e lidhur me krimin, por opozita e ka zgjidhjen, vetingu i politikanëve”, – tha sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili mori pjesë në konferencën me temë: “Çfarë e mban Ballkanin jashtë BE?”, organizuar nga gratë demokrate të Shqipërisë dhe PPE.

Kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se do ta ndryshojmë këtë realitet duke shkëputur vendin nga krimi.

“Shqipëria e humbi shansin e integrimin për hapjen e negociatave për shkak se nuk plotësoi kushtet e BE-së, dhe ka bërë regres sepse politika është e lidhur me krimin. Shifrat janë të frikshme, sepse kryeprokurorja ka lenë pa prokuror çështjen e Tahirit dhe Shullazit dhe është në mbrojtje të Xhafajt, është gati të lirojë Shullazin dhe roli i saj është të shkatërrojë hetimin”, – tha Basha.

Më tej, Basha tha se “Institucionet i ka kapur krimi. Europa nuk i toleron politikanët e lidhur me krimin dhe vendet e lidhur me krimin nuk ecin përpara”.

“Sa për opozitën, qëndrimi është i qartë për të realizuar shkëputjen e politikës nga krimi dhe për ketë kemi propozuar Vetingun e politikës. Opozita bëri të mundur ligjin e dekriminalizimit dhe u bë e mundur largimi i 333 zyrtareve të lidhur me krimin. Bojkotuam kuvendin 6 muaj për të bërë të mundur ligjin e dekriminalizimit. Edhe Vetingu për politikanët nuk është i lehtë, por opozita e ka objektiv kryesor dhe do ta realizojë”, – tha ai.

Po ashtu, Basha tha se “vetingu në politikë është zgjidhja ligjore për pastrimin e politikës dhe së shpejti kemi gati edhe ligjin për PPP dhe sekuestrimin e pasurive të firmave lidhur me tenderë të jashtëligjshëm”.

Ai tha se kjo mazhorancë është e ardhur në pushtet ku 20% e votuesve deklaruan shit-blerjen e votës.

Sipas tij, pushteti ka kapur pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv dhe institucionet e pavarura i ka kapur krimi. “Europa nuk do na pranojë kurrë se të kemi politikanë të lidhur me krimin”, – tha Basha. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.