Xhafaj: Strukturë të posaçme për t’i dhënë fund fenomenit të armëmbajtjes pa leje  

220

TIRANË, 20 shtator/ATSH – A. Fortuzi/ – Një strukturë e posaçme për pikëgrumbullimin e armëve pa leje pritet të ngrihet pranë Ministrisë së Brendshme.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj, gjatë një takimi mbajtur sot në Tiranë në kuadër të iniciativës kundër trafikimit të armëve, e lançuar nga Gjermania dhe Franca, e cila funksionon nën kornizën e BE-së. Qëllimi do të jetë koordinimi me donatorët për financimin e masave të Shqipërisë për luftën kundër trafikimit dhe mbajtjes së armëve.

Sipas ministrit Xhafaj, qeveria dhe institucionet ligjzbatuese mbeten të angazhuara për të luftuar fenomenin e armëmbajtjes pa leje. Sipas tij, Ministria e Brendshme është e angazhuar për ngritjen e një strukture për të luftuar dhe për t’u angazhuar në fenomenin e armëmbajtjes pa leje.

“E konsideroj këtë nismë franko-gjermane pozitive. Keqpërdorimi i armëve përbën një rrezik serioz për të gjithë ne. Përdorimi i tyre nga organizatat kriminale e më pas nga celulat terroriste mbetet problematik. Shqetësimi i kalon kufijtë rajonalë. Vitet e fundit qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për një kontroll më rigoroz të qarkullimit të armëve. Gjithashtu Shqipëria ka kërkuar një zgjidhje për mbajtjen pa leje apo trafikimin e armëve.

“Siç e dini është ngritur një Komision Kombëtarë për të monitoruar për zgjidhjen e qëndrueshme të problematikës së armëmbajtjes pa leje, të rënda e të lehta. Ky komision kombëtar po përgatit një strategji të qartë për të luftuar këtë fenomen dhe kjo strategji do të prezantohet në dhjetor në Paris. Këto do të jenë të parat e këtij lloji në vendin tonë”, – tha Xhafaj.

“Tragjedia kombëtare e vitit ’97 vendosi në masë armët e të gjitha llojeve nga depot e shtetit në duart e qytetarëve dhe një masë të konsiderueshme në duart e grupeve kriminale. Ky fenomen ka prodhuar fatkeqësi në shoqëri dhe gjithashtu nxiti dhe nisjen e trafikut të armëve. Ne jemi të ndërgjegjshëm se ka ende armë të tilla në duar të papërgjegjshme. Por vendi është angazhuar shpesh në fushata të grumbullimit të armëve dhe Shqipëria ka arritur rezultate të mira në këtë drejtim, duke bashkëpunuar me institucionet përkatëse, qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë”, – tha Xhafaj.

“Shifrat e vrasjeve dhe plagosjeve janë shumë më të ulta, madje tashmë dhe në nivel krahasues me vendet e BE-së. Policia e Shtetit është përfshirë në një operacion të gjerë në kontrollin e territorit për armëmbajtje pa leje. Gjithsesi ne jemi të vetëdijshëm se megjithëse legjislacioni penal është nga më të ashprit në rajon, ekziston ende një problematikë e madhe në trajtimin e armëve pa leje dhe implementimi i duhur i ligjit do ndikonte në uljen e armëmbajtjes pa leje”, – tha Xhafaj.

Ministri i Brendshëm nënvizoi se “Ministria e Brendshme mbetet tërësisht e angazhuar për ngritjen e Njësisë Qendrore të Armëve të Zjarrit, si strukturë organike, brenda tremujorit të parë të vitit 2019. Bashkëpunimi shumë i mirë me Ministrinë e Mbrojtjes do të vazhdojë dhe do të forcohet, sidomos në aspektin e shkatërrimit të armëve dhe municioneve të tepërta. Ne synojmë gjithashtu që të rritet më tej përdorimi i analizës së riskut nga ana e institucioneve tona ligjzbatuese. Investimet që jemi duke bërë për pajisjet e teknologjisë së lartë si për regjistrimin dhe shenjimin e armëve të zjarrit, por dhe për Institutin e Policisë Shkencore, megjithëse janë ende modeste, në raport me nevojat që kemi, do të rrisin shumë shanset për identifikimin e keqbërësve dhe kontrollin sistematik të armëve të zjarrit”.

“Ne, – tha Xhafaj, – gjithashtu jemi shumë të dëshiruar për mbështetje në teknologji në këtë fushë. Kam besim të plotë se të tjera procese reformuese që po zhvillohen aktualisht në Shqipëri, veçanërisht reforma e thellë në sistemin e Drejtësisë, do të kontribuojnë pozitivisht në vendosjen e rezultateve edhe më të qëndrueshme edhe në këtë aspekt. Jemi plotësisht të angazhuar që t’i japim fund një sërë problematikash që prej më se dy dekadash kanë penguar marrëdhënien e mirë institucionale mes qytetarëve dhe shtetit. Reformat e vëna në lëvizje kanë pikërisht këtë qëllim dhe investimi ynë politik, institucional e profesional shkon vetëm në këtë drejtim, në fushën e zbatimit të ligjit”, – u shpreh Xhafaj gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, si dhe ambasadorët e Francës e Gjermanisë, etj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.