Teatri, Kuvendi miraton dekretin e Presidentit dhe amendimet e Komisionit

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ – Kuvendi miratoi sot me 75 vota pro Dekretin e Presidentit të Republikës, nr. 10849, datë 27.07.2018, “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Kuvendi gjithashtu votoi pro edhe amendimeve të miratuara në Komisionin parlamentar të veprimtarisë prodhuese, sipas të cilave hapet gara për realizimin e projektit si dhe zhvillimin e zonës në qendër të kryeqytetit.

Po ashtu sot në Kuvend u miratua Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e dytë të financimit për projektin e sigurisë së digave”.

Gjithashtu Kuvendi miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Marrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin e rehabilitimit të konvikteve të Universitetit të Tiranës sipas parimit të eficiencës së energjisë, faza II”.

Kuvendi miratoi edhe Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së zbatimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për projektin “Këshillimi për migracionin në Shqipëri”.

Kuvendi miratoi edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim notash që përditëson marrëveshjen, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Europiane (Europol), për bashkëpunimin strategjik dhe operacional, ratifikuar me ligjin nr. 28/2014”.

Po ashtu Kuvendi miratoi edhe Projektvendimin “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për eurobondin që do të emetohet nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe blerjen mbrapsht (buyback) të një pjese të eurobondit ekzistues, miratimin e përjashtimeve nga tatimet dhe taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti në marrëveshjet që do të lidhen”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.