SALZBURG – BE-ja kërkon bashkëpunimin me Afrikën e Veriut për çështjen migratore

SALZBURG, 20 shtator /ATSH-AFP/ – Krerët europianë ranë dakord që të zhvillojnë negociata me Egjiptin dhe vendet e tjera të Afrikës së Veriut për të luftuar kundër nisjeve klandestine të migrantëve drejt Europës, njoftoi sot kancelari austriak, Sebastian Kurz në ditën e dytë të një samiti të BE-së në Salzburg.

“Egjipti është gati që të rrisë dialogun me ne”, u shpreh Kurz duke përshëndetur një etapë të re të rëndësishme në luftën kundër migracionit në Europë.

Që prej kulmit të krizës në vitin 2015, BE-ja arriti me Turqinë dhe Libinë marrëveshje që sollën një rënie të fortë të ardhjeve nëpërmjet Mesdheut.

Por, europianët duan t’i zgjerojnë këto partneritete me të gjitha vendet e Afrikës së Veriut gjatë një samiti me Ligën Arabe që Këshilli Europian, përfaqësues i shteteve anëtare, shpreson të organizojë në shkurt. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.