Me rëndësi vota pro e shqiptarëve në referendumin e 30 shtatorit në Maqedoni

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ – “Pjesëmarrja e shqiptarëve dhe vota e tyre pro në referendumin e 30 shtatorit është shumë e rëndësishme”, u shpreh sot Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi gjatë takimit me kryetaren e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, me të cilën bisedoi mbi zhvillimet më të fundit në Maqedoni.

Gjatë takimit Kryetari i Kuvendit nënvizoi se shqiptarët duhet të bëhen masivisht pjesë e zgjidhjes.

“Forcat politike dhe institucionet e qeverisjes qendrore e vendore të drejtuara prej shqiptarëve duhet të japin mesazhin e qartë në mbështetje të referendumit. Ne shqiptarët, jemi një faktor i rëndësishëm stabiliteti jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për të gjithë rajonin. Është pozitive që forcat politke shqiptare janë përgjithësisht pro referendumit dhe kjo duhet të pasohet edhe nga mbështetja e votuesve shqiptarë. Tetova duhet gjithashtu të paraprijë në këtë proces. Roli i komunës së Tetovës është vendimtar për sigurimin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në referendum. Nuk duhet ta humbasin këtë shans historik”, – tha Ruçi.

Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, falenderoi Ruçin për mbështetjen që Shqipëria dhe Kuvendi i Shqipërisë u japin në këto çaste shqiptarëve në Maqedoni.

Ajo vlerësoi gjithashtu faktin që forcat politike dhe shqiptarët e Maqedonisë janë në mbështetje të referendumit dhe votës pro. Suksesi i referendumit të 30 shtatorit hap rrugën për ndryshime të tjera pozitive në Maqedoni, të cilat kanë dhe do të kenë edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Faktori ndërkombëtar mbështet si rrallëherë në këtë çështje, të gjitha forcat progresiste të Maqedonisë, të cilat përpiqen për zgjidhjen e problemeve, prosperitetin, paqen dhe stabilitetin në rajon.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, shprehën bindjen se shqiptarët do të marrin pjesë masivisht në referendumin e 30 shtatorit dhe vota e tyre do të jetë pro.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.