Kumbaro: Një rrugë e re për teatrin, që meritojnë shqiptarët e gjeneratës tjetër

TIRANË, 20 shtator /ATSH – A.ALLA/ – “Vlera shpirtërore patjetër që ka, sepse historia 60-vjeçare e Teatrit Kombëtar është mjaftueshme e pjekur për të mos harruar emrat që e krijuan atë. Për këta emra vlen të flitet sot e përgjithmonë dhe të përjetësohen në libra, filma, muze e kudo, ndërsa për artistët që sot janë aktiv e për ata që do të vijnë, vlen të punohet e të ndërtohet më shumë sesa të flitet”, – deklaroi sot në Kuvend, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Duke u ndalur te projekti i Teatrit të ri, Kumbaro tha se “për artistët që sot luajnë apo duan të luajnë në skenë, vlen të projektohet teatri që meritojnë, pasi e meritojnë ata dhe publiku që i ndjek”.

Ajo tha se “një ndër temat që diskutohet kur kundërshtohet projekti për Teatrin Kombëtar është trashëgimia shpirtërore. Teatrin asnjëherë se ka patur statusin e e pasurisë kulturore as para viteve ’90 dhe asnjë nga ekspertët e arkitekturës dhe trashëgimisë këtë godinë nuk e quajti kurrë pasuri kulturore dhe pse kanë patur mundësinë për ta bërë. Vlera shpirtërore patjetër që ka, sepse historia 60-vjeçare e Teatrit Kombëtar është mjaftueshme e pjekur për të mos harruar emrat që e krijuan atë”.

“Për ata që nuk janë sot në sallë, i them të shkojnë njëherë në teatrin që kanë trashëguar, pasi ai teatër është se qeverisjet nuk investuan asnjëherë për Teatrin Kombëtar. Po ta kishit vizituar qoftë dhe një herë, do kishit kuptuar kushtet e papërshtatshme që ai disponon. Artistët nuk i motivon godina tashmë e rrëzuar në një krah, por arti që i rriti dhe besimi që e meritojnë skenën dinjitoze dhe është kjo çka kërkon komuniteti i tyre”, – shtoi ministrja Kumbaro.

Gjithashtu ajo vijoi se “godina e Teatrit është e rrënuar, fakti që rri ende në këmbë dhe në mungesë të një tjetër salle u shfrytëzua për dekada për shfaqje e për pasojë quhet ende funksional është argumenti më mjeran që mund të përdoret”.

Në përfundim ajo tha se “ky ligji nuk është gjë tjetër, veçse një rrugë e re për një propozim të ri për një mundësi të re, për një teatër të ri për të shpëtuar një kulturë tashmë jo të re, por shumë të rëndësishme atë të teatrit që meritojnë shqiptarët e gjeneratës tjetër. Prandaj votoni sot dhe ejani në teatër gjithë javën që vjen me shumë shfaqje”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.