Kërkimi shkencor, Rama: Aftësim për thithjen e fondeve europiane

TIRANË, 20 shtator /ATSH/ Kryeministri Edi Rama kërkoi ndryshim të situatës ku ndodhet kërkimi shkencor në Shqipëri, ilustruar me vetëm një fakt të thjeshtë: nga fondet e BE-së për këtë qëllim, vendi ynë shfrytëzon vetëm 4.5 % të tyre, ndërsa Serbia 90 % dhe Maqedonia 80%. Në fjalën e tij në Akademinë e Shkencave, Kryeministri Rama vuri në dukje se Shqipëria është e fundit në rajon në aksesimin e fondeve europiane për kërkimin shkencor.

“Serbia ka fituar 90% të projekteve që ka çuar për aplikim, Maqedonia 80%, ndërkohë që Shqipëria vetëm 4.5%. Dakord paraja është bazë pa të cilën nuk bëhet puna, por nga ana tjetër aksesi në fondet që janë në dispozicion nuk garantohet me para, por me dije, dhe Akademia e së nesërmes duhet të bëjë ndryshimin e madh për të krijuar mundësi që në rrugët e njohjes dhe dijes, shqiptarët të ketë shumë më tepër kapacitete thithëse në fondet e BE-së. Këto fonde janë të pakrahasueshme me çdo fond që vendet e rajonit mund t’i akordojnë kërkimeve shkencore nga buxheti”, – theksoi Kryeministri, i pranishëm në ndarjen e çmimeve në Akademinë e Shkencave.

Kryeministri Rama vuri në dukje faktin se vendet më të pasura thithin më shumë fonde nga BE, jo pse kanë fuqi vendimmarrëse si Austria, që është e para. “Çka është në xhepin e Shqipërisë mbetet e paprekur, dhe diferencat janë kolosale pasi vendet e pasura dinë më shumë, të varfrat dinë më pak dhe kjo bën diferencën. Prapambetja jonë lidhet me rrënimin që i ka ndodhur ngrehinës së kërkimit shkencor në vite dhe mund të adresohet përmes një akademie të reformuar”, – vuri në dukje Kryeministri. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.