FOTO – Flamingot “pushtojnë” Zvërnecin

TIRANË, 20 shtator/ATSH/ – Flamingot, zogjtë me qafën e hollë dhe të harkuar dhe me këmbët e hijshme, kanë “pushtuar” ditët e fundit Zvërnecin, në Vlorë.

Zogjtë lozonjarë tërheqin vizitorë të shumtë në vëzhgimin e piruetave të tyre, herët në fillim dite dhe përshëndesin diellin në perëndimin e tij. Ata janë kthyer në një destinacion për turizmin e vëzhgimit të tyre në habitatet natyrore ku jetojnë.

Një ndër të preferuarat është edhe Laguna e Nartës, e dyta më e madhe nga rëndësia për shpendët e ujit. Në këtë lagunë janë rreth 20,000 shpendë dimërorë të rreth 40 llojeve, duke u kthyer në një habitat shumë të pasur, gjithashtu vendushqimi për pelikanin dhe ku takohen rregullisht flamingot.

Laguna e Nartës ndodhet në  veri-perëndim të qytetit të Vlorës, rreth 14 km larg saj dhe ka një sipërfaqe  prej  rreth 42 km 2. Ndahet nga deti Adriatik nga një rrip i ngushtë toke ranore, që përbëhet nga duna rëre dhe plazhe të vegjël pa bimësi të dendur.

Në këtë lagunë bënë pjesë dhe Zvërneci, me ishullin e vogël të tij, ku veç të tjerave dallon nga Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e vogël  dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri.

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla deri në qindra mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.

Zakonisht qindra flamingo mblidhen së bashku si një grup baleti uji. Të gjithë pastrojnë puplat e tyre rozë duke qëndruar me një këmbë në diell për orë të tëra. Madje me një këmbë ata edhe flenë.

Gjatësia e tyre shkon nga 81 deri ne 130 cm, por pesha e tyre trupore është e vogël, ajo shkon nga 2 – 3,6 kg. Duke kombinuar peshën dhe ngjyrën, flamingot janë ndër zogjtë më të dallueshëm nga të tjerët.

Ngjyra e flamingove është në varësi të ushqimit që hanë si edhe karkalecave, të cilat kanë përmbajtje të lartë karoteni, e cila i jep ngjyrën karotë në portokalli. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.