Diaspora, publikohet Buletini i parë për realizimin e masave të Strategjisë Kombëtare

TIRANË, 20 shtator /ATSH-Gjergji Mima/ – Publikohet Buletini i parë për realizimin e masave të Planit të Veprimit të Strategjisë Kombëtare për Diasporën (2018 – 2024).

Buletini informon institucionet përgjegjëse dhe publikun për zbatimin e masave.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko thekson se, “historia e kombit shqiptar është e pandarë nga historia që ka shkruajtur në të diaspora shqiptare. Shoqëria shqiptare dhe diaspora e saj janë një realitet i cili ka treguar në kohë se nuk mund të bëjnë pa njëra-tjetrën. Shqipëria ka miratuar një politikë të re shtetërore për marrëdhëniet me diasporën shqiptare. Ajo bazohet në legjislacionin e ri dhe strukturat shtetërore për këtë qëllim”.

“Dokumenti i Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2018-2024, miratuar me vendimin nr. 259, datë 9.5.2019, të Këshillit të Ministrave, është hapi më i rëndësishëm i vlerësimit të reformës shtetërore në këtë drejtim. Strategjia Kombëtare shoqërohet nga plani i veprimit me 72 masa për realizimin në kohë të qëllimeve të saj”, – shton Majko.

Ky, vijon ministri, “është buletini i parë për procesin e realizimit të masave të planit të veprimit, i cili do t’i shërbejë informimit të institucioneve përgjegjëse dhe publikut të interesuar”.

“Buletini kryen vlerësimin e veprimeve të institucioneve në trajtimin e masave për të cilat ato janë përgjegjëse. Ai do të publikohet çdo tre muaj duke e bërë transparente ecurinë e procesit. Buletini është shprehës i faktit që Strategjia e Diasporës është dokument qeveritar, por realizimi i saj është përgjegjësi publike. Buletini është një eksperiencë e re e administratës shtetërore dhe i kushtohet interesave të bashkëkombësve që janë larguar nga vendlindja. Ata janë të detyruar ta ndjekin këtë veprimtari nga distanca e migracionit. Informimi i tyre është detyrim”, – thekson Majko.

“Realizimi i këtij procesi është sfidues pasi për herë të parë shtetet e Shqipërisë dhe Kosovës po integrojnë politikën e përbashkët ndaj diasporës shqiptare. Fjala “komb” po ripërcakton veten në kushtet e integrimit dhe të globalizimit. Ai nuk përkufizohet nga kufijtë shtetërorë. Kombi është aty ku janë njerëzit”, – nënvizon ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.