Bushati: Trafiku i armëve të paligjshme, sfidë rajonale

286

TIRANË, 20 shtator /ATSH-Gjergji Mima/ – “Trafiku i armëve të paligjshme është një sfidë rajonale. Duhet të ndalohet eksporti i armëve të lehta drejt vendeve në konflikt. Për fat të keq ka vende që nuk i përmbahen këtij parimi”, – deklaroi sot ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në takimin e grupit koordinues për Trafikimin e Armëve të Paligjshme në Ballkanin Perëndimor.

Ky takim u mbajt në kuadër të iniciativës kundër trafikimit të armëve, e lançuar nga Gjermania dhe Franca, e cila funksionon nën kornizën e BE-së.

Duke falënderuar vendet nismëtare kundër armëve, Bushati tha se duhet një bashkëpunin ndërajonal për bllokimin dhe përdorimin e tyre.

“BE të japë mesazhe unifikuese për të gjitha vendet kandidate”, – tha Bushati.

“Kemi përmbushur angazhimet për paqen dhe për sigurinë. Legjislacion ka patur progres. Duhet më tepër sforco nga ne dhe të gjithë aktorët ballkanikë. Kjo është një sfidë e madhe, e për pasojë kërkon një bashkëpunim nde rajonal. Ne duam shkëmbimin e informacioneve nga të gjitha eksperiencat rajonale. Është e rëndësishme kjo. Duhet të ndalojnë trafikimin e ardhmëve me vendet që janë në konflikt. Dua të falënderojë të gjithë partnerët, jo vetëm Gjermaninë dhe Francën, në mënyrë që objektiva të plotësohen”, tha Bushati.

Përhapja e gjerë e armëve të vogla e të lehta (SALW) në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe sfidat e vazhdueshme lidhur me kontrollin e tyre efektiv, mbartin rreziqe si për sigurinë rajonale, ashtu edhe për atë europiane.

Nisur prej domosdoshmërisë për të vepruar në mënyrë më të integruar e të koordinuar në kuadër të luftës kundër përhapjes së SALW në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Franca dhe Gjermania kanë ndërmarrë një iniciativë të përbashkët të koordinimit të donatorëve në kuadër të luftës kundër tregtisë së paligjshme të armëve të zjarrit dhe të një kontrolli gjithëpërfshirës të SALW.

Kjo iniciativë ndjek një linjë zhvillimi në dy nivele; një udhërrëfyes rajonal (Roadmap) me objektiva specifike e të matshme për reduktimin e tregtisë së paligjshme të armëve të vogla deri në vitin 2024 është hartuar dhe dakorduar tanimë prej kryeqyteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky dokument përbën bazën për fuqizimin e bashkëpunimit mes komunitetit të donatorëve dhe autoriteteve përkatëse në Ballkanin Perëndimor. Formalisht dokumenti është miratuar prej kryetarëve të shteteve dhe qeverive gjatë Samitit të Londrës në kuadër të Procesit të Berlinit në datën 10 korrik.

Ndërsa në nivel kombëtar do të zhvillohen këtë vit, nën kryesinë e Gjermanisë dhe Francës, konferenca të Iniciativës për Koordinimin e Donatorëve në të gjashta kryeqytetet e rajonit, gjatë të cilave autoritetet kombëtare së bashku me partnerët ndërkombëtarë do të analizojnë dhe çojnë përpara luftën kundër trafikimit të armëve të vogla si dhe do të identifikojnë mundësi të reja të bashkëpunimit të mëtejshëm dhe do të zhvillojnë inciativa të përbashkëta programore.

Këto takime do të shërbejnë si input për elaborimin e planeve kombëtare të veprimit në zbatim të udhërrëfyesit rajonal.

Tri takimet e para kombëtare të donatorëve janë zhvilluar përkatësisht në 2 shkurt në Podgoricë, 18 prill në Beograd dhe 5 qershor në Sarajevë.

Në datën 11 dhjetor Franca do të organizojë në Paris një konferencë të nivelit të lartë për të bërë bilancin rreth arritjeve të konferencave të koordinimit të donatorëve, për të prezantuar plan-veprimet kombëtare në zbatim të udhërrëfyesit ndërkombëtar si dhe për të shqyrtuar mundësitë financiare në mbështetje të këtij zbatimi.

Në fund të vitit 2019 Gjermania do të organizojë një konferencë monitorimi në Berlin për të analizuar vitin e parë të zbatimit të udhërrëfyesit / plan-veprimeve kombëtare. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.