Analizë socio-ekonomike për mbrojtjen e ekosistemit të lumit Buna

TIRANE, 20 shtator/ATSH/- Përfaqësues vendorë në Shkodër, zhvilluan një analizë socio-ekonomike për mbrojtjen e ekosistemit të lumit Buna.

Do të jenë vetë banorët e zonës që do të japin opinionet e tyre nëpërmjet pyetësorëve mbi praktikat e përdorimit të bujqësisë, përdorimin e tokës dhe menaxhimin e ujërave në Peizazhin e Mbrojtur të lumit Buna – Velipojë.

Pjesa cilësore e vlerësimit të kësaj analize në terren, do të ketë si qëllim perceptimin dhe përdorimin e detajuar të shërbimeve dhe të mirave materiale të ekosistemit nga aktorët lokalë.

Analiza socio-ekonomike do të realizohet mbi bazën e plotësimit të 200 pyetësorëve pranë komuniteteve që ushtrojnë aktivitetet e tyre jetësore dhe ekonomike pranë territorit të Peizazhit të Mbrojtur lumi Buna Velipoja.

Ky projekt financohet nga fondacioni MAVA, IUCN në partneritet me Tour du Valat dhe Institutin për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA), në bashkëpunim me Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Shkodër. /o.l/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.