Policia finalizon me sukses operacionin e koduar ” Cigarettes “

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ – Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi për rreth 2 muaj me metoda speciale, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar ” Cigarettes “.

Finalizimi i operacionit ka çuar në pranga 2 shtetas, punonjës në Autoritetin Portual Durrës.

• A.Dh, 49 vjeç, banues në Durrës, doktor në Autoritetin Portual Durrës;

• Z.Ç, 41 vjeç, shoferi i ambulancës në Autoritetin Portual Durrës.

Policia në cilësinë e provave materiale ka sekuestruar disa mallra kontrabandë, automjete që shërbenin për transportimin e tyre.

• 300 paketa të markave të ndryshme;
• 1 mjet i llojit ambulancë, tip Volsvagen, i cili shërbente për futjen e cigareve kontrabandë në Portin e Durrësit;
• 1 automjet tip “Ford” që shërbente për transportin e cigareve nga Porti i Durrësit në shpërndarjen e tyre pranë personave të ndryshëm;
• 2 aparate celularë.

Nga ana e grupit hetimor vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” ,” Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim parashikuar në nenet 172, 178 248, 25 të Kodit Penal./m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.