Maas: Shqipëria, hap gjigant përmes reformës në Drejtësi

TIRANË, 19 shtator /ATSH-Gjergji Mima/ – Në vitet e fundit Shqipëria ia ka dalë që përmes reformës në sistemin e Drejtësisë të bëjë një hap tepër gjigant në këtë drejtim, përmes të cilit janë verifikuar gjykatës apo prokurorë dhe kjo është një detyrë, apo një mision, apo një arritje, e cila do të vendosë kritere përtej vendit tuaj, në të gjithë rajonin.

Kështu u shpreh ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit me homologun Bushati. Ai u shpreh se “për ne është mbresëlënëse të konstatojmë se me çfarë entuziazmi të rinjtë e këtij vendi dhe këtij rajoni i mirëpresin vlerat e BE. Ky ndoshta do të kishte qenë një entuziazëm që do të na duhej edhe ne brenda për brenda BE-së, çka do të thjeshtëzonte një proces apo një tjetër”.

“Në qershor të këtij viti u mor një vendim në kuadër të BE, një vendim orientues përsa i përket fillimit të mundshëm të bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë duke nisur prej vitit 2019. Ky është një vendim që tregon gjithashtu vlerësim për reformat që janë ndërmarrë vitet e fundit në Shqipëri”, – tha Maas.

“Ka qenë një angazhim mjaft energjik politik tepër kurajoz përmes të cilit shumëçka është realizuar, gjë që jo domosdoshmërisht ka qenë e thjeshtë dhe për këtë Shqipëria ka qenë mjaft krenare”, – tha Maas.

Në të njëjtën kohë, vijoi Maas, “shtetet anëtare të BE kanë bërë të qartë që qershori i vitit 2019 nuk do jetë automatizëm, përsa i përket nisjes apo çeljes së bisedimeve të anëtarësimit. Bisedimet për këtë janë të hapura, të ditura dhe të qarta, pra duhet të ekzistojnë hapa apo rezultate të tjera përsa i përket reformave në mënyrë që të mund të bindim edhe ata që janë disi skeptikë sa i përket këtij procesi. Bëhet fjalë më së shumti sa i përket konsolidimit të shtetit ligjor apo pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Unë jam tepër optimist që do të ecim përpara në këtë rrugë”.

“Në vitet e fundit Shqipëria ia ka dalë që përmes reformës në sistemin e drejtësisë që të bëjë një hap tepër gjigand në këtë drejtim, përmes të cilit janë verifikuar gjykatës apo prokurorë dhe kjo është një detyrë apo një mision apo një arritje, e cila do të vendosë kritere përtej vendit tuaj, në të gjithë rajonin. Mendoj se është një rrugë që do të ndikojë edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, – tha Maas.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim më tej Shqipërinë në këto reforma”, – u shpreh ministri Maas.

“I dashur Ditmir! Ju mund të vazhdoni të mbështeteni tek Gjermania në rrugën tuaj. Ne e dimë të gjithë që procesi i reformave mund të jetë një rrugë e dhimbshme ndoshta, me pengesa, por jam i bindur që për të gjithë ne do t’ia vlejë në fund të ditës që të shfrytëzojmë shanset që na jepen për t’u afruar me njëri-tjetrin dhe perspektiva e anëtarësimit është më afër se kurrë dhe shpresojmë që së bashku t’ia dalim”, – theksoi ministri Maas. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.