Maas – Ramës: Keni ndërmarrë vendime kurajoze me reformat që keni bërë

TIRANË, 19 shtator/ATSH/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas ka vlerësuar realizimin e reformave në vend, sikurse është edhe Reforma në Drejtësi.

Gjatë takimit që kryediplomati gjerman zhvilloi me Kryeministrin Edi Rama, Mass deklaroi se reformat e thella të Shqipërisë njihen në Europë dhe se është mjaft e rëndësishme që këto reforma të vijojnë edhe më tej.

“Mënyra kurajoze për të bërë politikë është demonstruar tashmë e suksesshme. Fakti që janë nisur reforma të thella, sikurse është ajo e Drejtësisë, e kudo njohur dhe gjithsekush këtu, në rajon, apo në Berlin, apo në BE, e dinë se sa e rëndësishme është kjo reformë për perspektivën europiane të Shqipërisë, ndaj është mjaft e rëndësishme që qeveria të mund të vijojë më tej në rrugën e nisur tanimë”, – theksoi Mass.

Mass theksoi se Shqipëria është një partner mjaft i rëndësishëm i NATO-s dhe se vendi ynë sipas kryediplomatit gjerman “është kthyer në një spirancë e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë në rajon”.

“Ne e kemi mbështetur këtë rrugë që prej fillesave të veta, por edhe ju sigurisht që jeni një partner mjaft i rëndësishëm për ne në kuadër të organizatave ndërkombëtare, para së gjithash në NATO. Ju jeni një vend që mund të konsideroheni si spirancë e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë në rajon”, – theksoi Mass. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.