Ligji për Teatrin Kombëtar, Basha: PD ka një qëndrim të qartë dhe të pandryshuar

61

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediet u ka bërë thirrje deputetëve të mazhorancës, që nesër të mos e votojnë ligjin për Teatrin Kombëtar.

“Sot kam pritur përfaqësues të nderuar të Aleancës për Teatrin, artistë e intelektualë të shquar, njerëz me kontribut të jashtëzakonshëm për dekada me radhë, për artin, për kulturën, për vetëdijen e shqiptarëve, përfaqësues të elitës së mendjes dhe të shpirtit të shqiptarëve, të cilët ndajnë një shqetësim të madh, që është edhe shqetësimi i qindra dhe mijëra qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, artdashësve dhe padyshim edhe shqetësim i PD-së dhe i imi personalisht. Nesër në Kuvendin e Shqipërisë do të kryhet një akt antikushtetues”, – deklaroi Basha.

“Partia Demokratike ka një qëndrim të qartë dhe të pandryshuar. Ligji Rama-Fusha është një ligj antikushtetues. Ai duhet të rrëzohet nesër në Parlament. Dua t’i them sot çdo deputeti të Rilindjes që do të jetë në atë sallë, se votimi i një ligji që i hap rrugë shkatërrimit të Teatrit është i papranueshëm për PD. Është akt grushti shteti dhe vendos çdo deputet të Rilindjes në pozita të barabarta me terroristët. Terroristë, të cilët në mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe ligjeve të vendit, tjetërsojnë pronën publike, shkatërrojnë memorien historike, gllabërojnë dhe shkatërrojnë vlerat kulturore për të mbushur xhepat e Edi Ramës dhe kriminelëve që bashkëqeverisin vendin me të”, – theksoi kreu i PD-së.

Basha theksoi se “sonte secili prej kartonmbajtësve të Rilindjes në Kuvendin e Shqipërisë ka orët e fundit të reflektojë që nesër çdokush që ngre kartonin për të kaluar një ligj të tillë antikushtetues dhe për të shembur përmes terrorit shtetëror godinën e Teatrit do të trajtohet politikisht nga opozita si terrorist shtetëror”. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.