Investimet në infrastrukturë, impakt në rritjen e turizmit në Pukë

TIRANË, 19 shtator/ATSH – Edison Caushi/ – Investimet në infrastrukturë këtë sezon veror, ndikuan ndjeshëm në rritjen e numrit të vizitorëve në qytetin alpin dhe zonat rreth tij.

Kreu i bashkisë Pukë, Gjon Gjonaj bën të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) se, si kurrë më parë këtë verë qyteti mirëpriti mjaft vizitorë, të cilët janë larguar nga Puka me mbresa për mikpritjen dhe ngrohtësinë që i ofrojnë vendasit çdo vizitori, por dhe për ajrin, klimën dhe pastërtinë e mjedisit.

“Ndjehem vërtetë mirë që falë investimeve të qeverisë Shqiptare, po arrijmë që ëndrrën e çdo pukjani po e bëjmë realitet. Këtë vit Puka ka qenë e mbipopulluar si kurrë më parë. Shqiptarët janë shtyrë nga kurioziteti për liqenin piktoresk, por kur kanë ardhur dhe kanë prekur një sërë elementesh si, mikpritjen e bujarinë që na karakterizon ne pukjanëve, kanë mbetur të mahnitur”, – tha Gjonaj.

Kryebashkiaku i qytetit verior thotë se bazuar mbi disa të dhëna nga bujtinat, shtëpitë pritëse në fshatra, hotelet por dhe parkimet e rulotave apo krijimi i kampingjeve, këtë vit Puka është vizituar nga 6000 turistë që kanë kaluar 24 orë në këtë zonë, pa llogaritur ata të cilët kanë qëndruar në Pukë për një drekë.

“Jam i lumtur që krahas të huajve të cilët na e vënë në pah, mikpritjen, bujarinë, pastërtinë e qytetit dhe vlerësojnë elementet që na i ka falur natyra, këtë vit Puka ka pritur dhe ish-banorët e saj, të cilët pas zhgënjimit deri në atë masë sa që arritën ta braktisin këtë vend në kërkim të një jete më të mirë, tashmë rikthehen duke u përballur me një realitet të ri. Ka shumë nga ata që tashmë duan të blejnë sërish një shtëpi, ashtu siç studentët të cilët mbarojnë studimet po rikthehen sërish në Pukë dhe japin kontributin e tyre. Puka tashmë nuk është zhgënjim, ajo po kthehet në shpresë, që rrënjët i ka tek turizmi malor”, – thotë Gjonaj.

Kryetari i bashkisë së Pukës bën të ditur se ndryshe nga shumë zona të tjera të Shqipërisë të cilat mbyllin sezonin turistik, Puka vijon të presë turistë.

“Alternimi që natyra i ka bërë kësaj zone karakterizuar nga lendinat, livadhet, kodrinat, malet, lumenjtë i japin mundësi Pukës të jetë e vizitueshme në çdo stinë të vitit. Vjeshta e artë i hap rrugën dimrit me pamjet mahnitëse që ofron kur ora e gjelbër e bredhave nën petkun e bardhë të Borës”, – citon kryebashkiaku, teksa ndalon tek ushqimet fantastike që ka Puka, të cilat janë kryesisht organike dhe shumë të kërkuara nga pushuesit.

“Ne pukjanët ndoshta nuk jemi aq të pasur nga ekonomia, por jemi shumë të pasur në shpirt, jemi popull vital, që tani mbi thënien “bukë e zemër të bardhë” ofrojmë disa kushte që po e kthejnë zonën tonë të begatë në destinacion të mirëfilltë, ndaj ftesa ime si kryetar i bashkisë Pukë mbetet e hapur: Ejani e na vizitoni, ne nuk jemi mrekullia, por këtu vërtet do të kaloni çaste të qeta, që i mungojnë ditëve tuaja në zonat e mëdha urbane”, – e mbyll prononcimin e tij për ATSH, kryebashkiaku Gjon Gjonaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.