INSTAT dhe BSH konfirmojnë: Ecuria e investimeve në ekonomi, trend në rritje pozitive

93

TIRANË, 19 shtator /ATSH/- Ecuria e investimeve në ekonominë shqiptare po ndjek trendin e rritjes pozitive, konfirmojnë INSTAT dhe Banka e Shqipërisë.

Sipas Institutit të Statistikave, importi i makinerive dhe pajisjeve është një ndër treguesit kryesorë që tregojnë ecurinë e investimeve në ekonomi. Në tetë muajt e parë të vitit importi i makinerive dhe pajisjeve arriti në vlerën e 91.3 miliardë lekëve, shifër kjo me një rritje 7.8% më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se bilanci vjetor i ecurisë së investimeve të huaja, deri tani, është pozitiv.

“Në gjashtë muaj, ekonomia shqiptare ka thithur 515 milionë euro investime të huaja, me një rritje prej 19% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar”, citon BSH-ja.

Në rritje është edhe kontributi i sektorit publik në investime. Sipas statistikave fiskale të qeverisë, për shtatëmujorin shpenzimet kapitale arritën në 34.7 miliardë lekë, në rritje prej 12.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Investimet janë shtysa kryesore e rritjes ekonomike të vendit dhe trendi pozitiv i rritjes së tyre i përgjigjen pritshmërisë së institucioneve për progres ekonomik. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.