Shkodër/ Ndahet nga jeta ish-drejtori i teatrit “Migjeni” Isa Alibali

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ – Është ndarë papritur nga jeta profesor Isa Alibali, një nga emrat e shquar të artit, kulturës e mësimdhënies në Shkodër.

Kush ishte Isa Alibali?

Isa Alibali, ishte diplomuar në degën Gjuhë-Letërsi, në vitin 1960. Ka punuar 3 vjet në Mirditë dhe ka qenë drejtori i parë i Gjimnazit të Rrëshenit. Në vijim ka qenë inspektor në seksionin e arsimit e të kulturës në Shkodër dhe në vitin 1965 kryeinspektor i kulturës në atë seksion.

Nga mesi i vitit 1967 e deri në fund të vitit 1982, ishte drejtor i teatrit “Migjeni”, me një ndërprerje trevjeçare, si drejtor i Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore (1969-72). Pastaj ka qenë drejtor i shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova” dhe tre vitet e fundit, deri në daljen në pension më 1991, ka punuar si mësues letërsie në shkollën e mesme të përgjithshme “Jordan Misja”.

Veprat e profesor Isa Alibalit

Viti 1997 – Në Shkodër të gjithë këndojnë…, i cili përmban histori të krijimit të këngëve shkodrane. Ky është libri i parë që lidhej me këngën shkodrane, si një nga shtyllat e traditës artistike të Shkodrës. Ribotimi i këtij libri u bë në vitin 2011.

Viti 2002 – “Mirënjohje” që lidhet me figurat më të shquara të artit të kultivuar të Shkodrës e më gjerë, si aktorët, regjisorët, shkrimtarët, kompozitorët, këngëtarët, piktorët tanë të shquar, etj.

Viti 2005 – “Prenkë Jakova” trajton jo vetëm jetën e figurës madhore të muzikës shqiptare, që i dha emër të madh Shkodrës, veçanërisht me operën e parë shqiptare “Mrika”, përshkroi jetën e veprimtarinë muzikore të Prenkë Jakovës, por në këtë libër tregohet se si është zhvilluar muzika në Shkodër dhe që është edhe kjo një shtyllë e fuqishme e traditës artistike të qytetit tonë.

Viti 2007 – “Me Tano Banushin dhe humorin e tij”, ku shpaloset jeta dhe veprimtaria artistike – humoristike e kollosit të humorit shqiptar Tano Banushi, si dhe për shumë aktorë të njohur të humorit në Shkodër, që kanë rrezatuar vlera në të gjithë Shqipërinë.

Viti 2011 – Libri me kujtime “Si e njoha Mirditën” ku paraqiten mbresat nga puna në Mirditë në fushën e arsimit në rininë e autorit, edhe si drejtor i parë i Gjimnazit të parë të Rrëshenit, në vitin 1960.

Viti 2012 – “Rrënjë dashurie” (Shkodranët për Kosovën) që lidhet me marrëdhëniet e ngushta midis Shkodrës dhe Kosovës, në histori, arsim, kulturë dhe arte dhe ndikimet e tyre të ndërsjellta. Ky është libri i parë i këtij lloji, që shpreh ndjenjat e dashurisë midis këtyre trevave shqiptare, traditat e përbashkëta dhe kontributet reciproke ndaj njëri-tjetrit. Libri përmban kujtime, tradita veprimtari, portrete, mbresa, udhëtime turistike, reportazhe e ngjarje të përjetuara larg e afër Kosovës. Ky libër, në kuadrin e viti jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, i kushtohet shqiptarëve të Kosovës, të cilët, përveçse kanë dhënë shembuj të shkëlqyer të trimërisë, qëndresës e të unitetit, kanë bërë edhe edhe një jetë të pasur shpirtërore , duke ruajtur traditat, gjuhën, dinjitetin dhe duke mbajtur gjallë , si gjënë më të shenjtë, ndjenjat e çmuara kombëtare të atdhedashurisë.

Viti 2015 – “Përtej Mjegullës ka Dritë”, Roman, pasqyron fatin e vështirë të njerëzve gjatë diktaturës si pasojë e ushtrimit mbi ato të Luftës famëkeqe të Klasave, rrugën e mundimeve të shumta të tyre, dhe ndikimin e egër në jetën shpirtërore të personazheve. /m.z//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.