Veliera “Sea Cloud”, për të katërtën herë brenda vitit në portin e Durrësit

TIRANË, 18 shtator/ATSH/-  Veliera “Sea Cloud” do të ankorohet për të katërtën herë gjatë këtij viti në kalatat e portit të Durrësit. Veliera pritet të mbërrijë mëngjesin e së enjtes në kalatën 4 të portit.

“53 nga 60 turistët në bord janë shtetas nga SHBA, ndërsa pjesa tjetër nga Kanadaja, Gjermania, Kosta-Rika dhe Holanda”, bën të ditur Autoriteti Portual i Durrësit, referuar agjencisë “Intermed Shipping”.

Nga i njëjti burim, mësohet se veliera që po lundron në brigjet lindore të Adriatikut dhe Jonit nga Greqia deri në Kroaci, do të mbërrijë në Durrës më 20 shtator.

Anija turistike me gjatësi 110 metra mbërrin në portin më të madh të vendit pas ndalesës në Sarandë, ndërsa do të vijojë mbrëmjen e së enjtes drejt Kotorrit në Malin e Zi.

Që prej 7 vitesh veliera “Sea Cloud” vjen rregullisht në portin e Durrësit. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.