Vazhdon normalisht tarifimi i qarkullimit të mjeteve në “Rrugën e Kombit”

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ – Ka nisur që prej ditës së djeshme, tarifimi i “Rrugës së Kombit”, e para rrugë me pagesë kalimi në Shqipëri dhe gjithçka po vijon normalisht, pa asnjë problem.

Kështu deklaroi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri sot në Komisionin e Kuvendit për Ekonominë, ku theksoi se, opinioni i publik në qarkun e Kukësit e ka mirëpritur marrëveshjen e re të qeverisë për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit”.

“Mirëmbajtja e rrugës përmes tarifimit është një mënyrë dinjitoze dhe zgjidhja e duhur që garanton standarde dhe siguri qarkullimi, aq më tepër siç është qarku i Kukësit, i cili në 20 vitet e fundit nuk ka një rrugë alternative dinjitoze qarkullimi, përveç ‘Rrugës së Kombit’, ndaj ishte mëse e nevojshme mirëmbajtja e saj, pasi edhe të mirat publike kanë nevojë për një kontribut”, – tha Gjiknuri.

Çdo mjet transporti që kalon në “Rrugën e Kombit” tarifohet sipas kategorisë, motocikletat kanë çmimin më të lirë, ndërsa kamionët e mëdhenj më të lartin. Autoveturat kanë një çmim prej 5 eurosh, i cili konvertohet në lekë në momentin e pagesës në sportel. Procedura është e njëjtë për çdo mjet.

Ndërkohë, për banorët e zonës së Kukësit, Hasit dhe Tropojës, të cilët kanë një automjet të regjistruar në Drejtorinë Rajonale të Qarkullimit në Kukës, tarifa do të jetë 100 lekë për kalim. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.