Prizren, hapet ekspozita “Unë jam shqiptar”

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ – Në mjediset e Muzeut Arkeologjik në Prizren, u hap ekspozita e fotografive “Unë jam shqiptar”, me protagonistë shqiptarët nëpër botë, që nga koha e Skënderbeut e deri në ditët e sotme.

Ekspozitën e hapi arkeologu Vesel Hoxhaj, i cili tha se ekspozita “Unë jam shqiptar” është aktivitet i kalendarit të përbashkët kulturor ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës Shqipërisë.

Në hapje të ekspozitës, në emër të Ministrisë së Kulturës të pranishmit i përshëndeti Samir Hoxha, i cili tha se kjo ekspozitë që hapet sot në Prizren, shënon një ndër shumë aktivitetet të cilat janë zhvilluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në vitin mbarëkombëtar, kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

“Ekspozita është një kontribut i çmuar i dy institucioneve të Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore në të dyja anët e kufirit, në lartësimin e figurave të rëndësishme historike, por edhe atyre të kulturës, artit, letërsisë, sportit dhe personaliteteve të tjera kombëtare që emigruan shekuj më parë në vende të ndryshme të botës. Por edhe përkundër këtij fakti ata në asnjë moment nuk e harruan vendin e origjinës, kombin dhe vendin e tyre dhe në çdo rast e potencuan faktin dhe lartësuan identitetin e tyre kombëtar duke thënë se “UNE JAM SHQIPTAR”, – tha Hoxha.

Hoxha gjithashtu tha se përkushtim i Ministrisë është edhe organizimi i aktiviteteve të mos ndodh vetëm në kryeqytet, por ato të barten edhe në qytetet e Kosovës dhe pikërisht në Prizren.

Ai me këtë rast edhe një herë e rikonfirmoi përkrahjen e plotë të Ministrisë, që aktivitete të tilla dhe projekte të përbashkëta ndërmjet institucioneve tona të konsolidohen edhe më tej, të zgjerohen dhe të strukturohen ende më shumë brenda fushë veprimtarisë së institucioneve tona.

Profesori Agim Zogaj përgëzoi organizatorin për ekspozitën dhe për emërtimin që e mban ky aktivitet. /e.malaj/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.