Plotësohet kushti i BE për ligjin e Teatrit, mazhoranca voton pro hapjes së garës

TIRANË, 18 shtator /ATSH/- Komisioni i përhershëm i Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, shqyrtoi sot Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 10849, dt. 27.07.2018 “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””.

Në mbledhjen e komisionit mori pjesë grupi parlamentar i Partisë Demokratike, pas një mungese trijavore në Kuvend.

Kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi u shpreh se shumica ka vendosur që të pranojë dekretin e Presidentit për të bërë disa ndryshime në ligj, ku më kryesorja është hapja e garës.

Shalsi tha se, “kemi arritur në konkluzionin e pranimit të dekretit të Presidentit. Nuk është rasti i parë që Kuvendi pranon dekretin e Presidentit. Pas shqyrtimit të kujdesshëm në lidhje me këtë ligj kemi ndërmarrë disa diskutime me disa individë të ndryshëm apo sugjerime. Pas diskutimeve kemi arritur sot në një draft-propozim në lidhje me amendimet që do të bëjmë për këtë ligj. Pra do të pranojmë dekretin e Presidentit duke ndërhyrë në disa nene të veçanta”.

Shalsi bëri të ditur se këto amendime i janë dërguar për mendim edhe Autoritetit të Konkurrencës, për t’u shprehur për këtë çështje.

Opozita nuk ka qenë dakord me dekretin e Presidentit, Ilir Meta. Albana Vokshi përsëriti qëndrimin e opozitës për ligjin për Teatrin dhe deklaroi se nuk mund të bëhet arnime në ligj, por vetëm të pranohet ose jo dekreti i Presidentit.

“Nuk është e çuditshme që sa herë ka një projekt të tillë korruptiv, del emri i Ilir Beqjas. Një dekret o votohet pro, o kundër. Unë nuk e kuptoj çfarë janë amendimet e një dekreti që është shumë i qartë. Ligji Rama-Fusha është antikushtetues dhe kriminal”, – tha Vokshi. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.