Partia Radikale Italiane, deklaratë në Këshillin Europian për integrimin e Shqipërisë

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ Partia Radikale Italiane mbështet integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE dhe për këtë ka paraqitur një deklaratë në takimin e datës 28 korrik 2018, të Këshillit Europian.

Kryetarja e komisionit parlamentar për Politikën e Jashme, Mimi Kodheli priti sot në selinë e Kuvendit, një delegacion të Partisë Radikale Italiane, të cilët i dorëzuan asaj deklaratën ku shprehej ky qëndrim.

Gjatë takimit, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi situatën politike në të dyja vendet, sfidat, perspektivat dhe interesat gjeostrategjike të tyre dhe të Europës.

Kodheli bëri një pasqyrë të historisë dhe vokacionit të Shqipërisë, si edhe perspektivës së saj në BE, duke vënë theksin në shpirtin europian që e ka karakterizuar gjithmonë popullin shqiptar.

Përfaqësuesit e Partisë Radikale bënë një prezantim të programit, orientimit dhe objektivave të saj si një parti ndërkombëtare, ndërpartiake, kundër dhunës dhe të orientuar drejt promovimit të të drejtave njerëzore. /m.m//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.