Marrëveshja me Gjermaninë, hap drejt migracionit të ligjshëm të punës

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ – Shqipëria dhe Gjermania do të bashkëpunojnë për nxitjen e migracionit të ligjshëm të punës dhe frenimin e migracionit të parregullt.

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për projektin “Këshillimi për migracionin në Shqipëri”, synon forcimin e kontributeve të migrantëve për zhvillimin e vendeve të tyre të origjinës dhe përmirësimin e kushteve për migracionin e ligjshëm në vendet e përzgjedhura partnere.

Komisioni i Kuvendit për Ekonominë, diskutoi sot projektligjin nëpërmjet së cilës institucionet përkatëse synojnë të luftojnë migracionin e parregullt, duke
ofruar informacion për rrugët e ligjshme të migracionit të punës dhe duke
informuar lidhur me arsimin dhe formimin profesional e perspektivat e tregut të punës, si në Gjermani, ashtu edhe në Shqipëri.

Bashkëpunimi do të fokusohet në: fushat e këshillimit për migracionin dhe më konkretisht, në këshillimin dhe informimin e grupeve të caktuara mbi mundësitë e migracionit të ligjshëm të punës dhe perspektivat e arsimimit dhe të punësimit në Shqipëri; Përditësimin dhe ofrimin e materialeve informative rreth migracionit të punës, mundësitë për hyrje në tregun gjerman të punës dhe trajnimet përkatëse për personelin e sporteleve të migracionit; Ngritjen e kapaciteteve të sporteleve ekzistuese të migracionit të SHKP-së
lidhur me informimin mbi rrugët ligjore të migracionit të punës; Përmirësimin e bazës të të dhënave për aktorët në terren dhe situatën e grupeve të synuara si dhe krijimin e një rrjeti me aktorët përkatës në fushën e arsimit dhe punësimit. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.