Kosovë, ambasadori amerikan Delawie në takime lamtumire

215

TIRANË, 18 shtator /ATSH/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim lamtumire ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, i cili së shpejti përfundon misionin në vend.

Kryeparlamentari Veseli falënderoi ambasadorin amerikan për kontributin e pazëvendësueshëm në shtyrjen përpara të shumë proceseve pozitive në Kosovë, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer ndër vite.

Veseli tha se bashkëpunimi dhe miqësia midis Kosovës dhe SHBA-së, tashmë është e çimentuar dhe e pakthyeshme. Duke i uruar diplomatit amerikan suksese të reja në karrierën e tij të mëtejshme, Veseli shfaqi përkushtimin për të vazhduar bashkëpunimin me drejtuesin e ri të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Ambasadori Delawie, nga ana e tij, u shpreh i lumtur që për disa vite ka drejtuar misionin diplomatik amerikan në Kosovë, ndërsa falënderoi kryeparlamentarin Veseli për bashkëpunimin.

Delawie konfirmoi edhe njëherë se SHBA-ja do të vazhdojë të mbetet mbështetëse e pa rezervë e Kosovës në ecjen e saj përpara dhe kapërcimin e sfidave që ajo ka para vetes. /KosovaPress/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.