Konferenca e Pezës, AIDSSH: Koha që studiuesit të rivlerësojnë rolin e protagonistëve

TIRANË, 18 shtator /ATSH – I. Vata/ – “Ka ardhur koha që studiuesit të rivlerësojnë rolin e gjithsecilit nga protagonistët e Konferencës së Pezës dhe në festimet e ardhshme të nderohen të gjithë ata që mbeten antifashiste te vendosur deri në fund të luftës”, – shprehet kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula.

Duke iu referuar Konferencës së Pezës, Sula tha se “konferenca, e cila pati për qëllim organizimin e forcave të ndryshme politike në një luftë të përbashkët kundër Italisë fashiste, që mori emrin Fronti Nacionalçlirimtar Kombëtar. Protagonistë të këtij kuvendi ishin 20 delegatë përfaqësues të krahinave dhe besimeve të ndryshme fetare, klasa dhe shtresa me bindje politike dhe ideologji nga më të ndryshmet. Ndërmjet tyre ishin: Abaz Kupi, Aziz Çami, Halim Begeja, Haxhi Lleshi, Ismail Petrela, Mustafa Xhani, Myslim Peza, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani, Skënder Jegeni dhe Skënder Muço. Nga PKSH morën pjesë Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Enver Hoxha, Nako Spiru dhe Nexhmije Xhuglini. Kryetar i konferencës u zgjodh Ndoc Çoba dhe sekretar, Mustafa Gjinishi”.

Po ashtu, Gentiana Sula, shton se “në konferencë u diskutua organizimi i forcave në një luftë të përbashkët kundër okupatorit, organizim ky që mori emrin më vonë, Fronti Nacional-Çlirimtar dhe u miratua një rezolucion, në të cilin thuhej se përfaqësuesit e të gjitha tendencave miratonin deklaratën përkatëse ku përkrahej koalicioni kundër boshtit, “… të udhëhequr nga qëllimi i shenjtë për çlirimin e Shqipërisë nga thundra e Italisë fashiste dhe nga tradhtarët e shitur tek i huaji, … mbasi përkujtuan dëshmorët e rënë në luftë kundër fashizmit, mbasi shqyrtuan mirë gjendjen shqiptare dhe veçanërisht, mbasi theksuan dëshirën dhe nevojën për organizimin e të gjithë energjive shqiptare për bashkim të plotë të tyre me luftën NÇ. Ata theksuan kontekstin historik …te ‘ një botë të përgjakur anekënd prej forcave të errëta prej skllavëronjësve të fashizmit …. ku popuj e kombe u shkelën pa mëshirë prej barbarisë fashiste’…”

Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacional, të përbërë nga: Kamber Qafmolla (kryetar), Mustafa Gjinishi (sekretar), Ndoc Çoba, Myslim Peza, Abaz Kupi, Enver Hoxha, Ymer Dishnica etj.

“Vihet re se me përjashtim të Enver Hoxhës dhe Myslim Pezës, të gjithë të tjerët u cilësuan si tradhtarë nga historiografia komuniste, sipas interesave te luftës politike. Ka ardhur koha qe studiuesit të rivlerësojnë rolin e gjithsecilit nga protagonistët e Konferencës së Pezës”, – shprehet, kryetarja e AIDSSH, Gentiana Sula. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.