Integrimi në BE, hapen pranimet për Shkollën Europiane

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ – Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE), në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Europian, fondacionin “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” (OSFA), fondacionin “Friedrich Ebert” dhe fondacionin “Konrad Adenauer”, do të organizojë në Tiranë, në datat 22-26 tetor 2018, raundin e tretë të Shkollës Europiane.

Për të tretin vit radhazi, Shkolla Europiane synon të identifikojë dhe angazhojë aktorë të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, duke krijuar një grup të konsoliduar ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e integrimit europian, të cilët mund të kontribuojnë në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian (BE).

Shkolla Europiane 2018 do të ofrojë një kuadër të plotë teorik dhe praktik mbi zhvillimet më të fundit në Bashkimin Europian, skenarët e mundshëm për të ardhmen e tij dhe veçanërisht të ardhmen e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo synon gjithashtu të forcojë aftësitë negociuese të pjesëmarrësve me anë të metodave praktike për zhvillimin e negociatave efektive.

Leksionet do të mbahen nga profesorë të njohur, si dhe ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar për integrimin europian dhe procesin e zgjerimit.

Gjithashtu, Shkolla Europiane do të përfshijë seanca bashkëbisedimi me përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, të cilët do të diskutojnë me pjesëmarrësit mbi ecurinë, sfidat dhe skenarët e mundshëm në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Në këtë shkollë mund të aplikojnë nëpunës të administratës publike shqiptare, përfshirë edhe qeverisjes vendore dhe institucioneve të pavarura, që punojnë në fushën e integrimit europian, të cilët synojnë të angazhohen në procesin e negociatave.

Po ashtu mund të aplikojnë studiuesit e rinj dhe përfaqësues të organizatave jofitimprurëse; gazetarë dhe përfaqësues të medieve; si dhe përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe grupe të tjera interesi./m.m//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.