Ekonomia shqiptare, model për rritjen progresive

TIRANË, 18 shtator /ATSH/- Drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore për Shqipërinë, Patrizio Pagano, zhvilloi të martën një vizitë pune në Shqipëri.

Gjatë vizitës së tij në Bankën e Shqipërisë, Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv i Bankës Botërore për Shqipërinë dhe Guvernatori i BSH-së Gent Sejko zhvilluan një takim me median, ku lançuan prezantimin me titull “Ngadalësimi i produktivitetit dhe hipoteza e staniacionit shekullor”.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Guvernatori Sejko tha se, produktiviteti ka një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit.

“Ekonomia shqiptare ka qenë dhe është në një proces ristrukturimi të modelit të saj të rritjes. Ndër të tjera, ky proces parashikon një mbështetje më të madhe të rritjes në sektorët e orientuar drejt eksportit, industrisë dhe turizmit, si dhe një orientim më të madh të resurseve financiare drejt zgjerimit të investimeve”, – tha Sejko.

Sipas tij, niveli dhe shpejtësia e zgjerimit të produktivitetit ka një lidhje të drejtë me shkallën e edukimit dhe të kualifikimit të fuqisë punëtore. “Reforma e sistemit të lartë arsimor dhe rritja e theksit në arsimin profesional, janë dimensione esenciale të ristrukturimit të ekonomisë, frytet e të cilave do të bëhen gjithnjë e më të dukshme në afatin e gjatë”, – theksoi Guvernatori, sipas së cilit, produktiviteti është i lidhur ngushtë edhe me përmirësimin e aftësive manaxheriale të biznesit.

“Fushata për rritjen e formalizimit, rritja graduale e konkurrencës, si dhe rishikimi i ligjit për falimentin, do të krijojnë stimujt e duhur në këtë drejtim. Shqipëria ka hapësira të mëdha zhvillimi nëpërmjet adoptimit të teknologjive e praktikave ekzistuese. Në këtë prizëm, detyra jonë mbetet të zgjedhim dhe të zbatojmë modelet e provuara të zhvillimit”, – deklaroi Sejko.

Gjatë takimit prezantues Drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore për Shqipërinë, Pagano u përqendrua në çështjet që lidhen me ndikimin e teknologjisë dhe kapitalit njerëzor në nxitjen e rritjes së produktivitetit.

“Rritja e produktivitetit konsiderohet si një nga shtyllat kryesore strukturore të ekonomisë shqiptare dhe një faktor që do ta bënte atë më konkurruese, në raport me vendet e rajonit dhe më gjerë”, – u shpreh Pagano.

Aktualisht, Banka Botërore ka 24 projekte aktive në Shqipëri, të shtrira në sektorë të ndryshëm, që nga infrastruktura dhe mjedisi e deri tek shëndetësia dhe forcimi i kapaciteteve mbikqyrëse të tregjeve financiare.

Që prej vitit 2014, Patrizio Pagano është drejtor ekzekutiv në Bankën Botërore për shtatë vende, mes të cilave Italia, Greqia dhe Shqipëria. Para se t’i bashkohej Bankës Botërore, Pagano ka punuar në Bankën e Italisë, në Divizionin e Ekonomive të Zhvilluara dhe Financës Ndërkombëtare.

Sipas informacionit zyrtar të Bankës Botërore, Pagano është autor dhe bashkautor në shumë artikuj makroekonomikë, të financës, tregtisë, ndërsa mban një doktoraturë nga Universiteti i Pavias në Itali. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.