Drilon-Tushemisht, një destinacion i pakrahasueshëm ekoturistik

503

TIRANË, 18 shtator/ATSH/ – Studioja projektuese portugeze PROAP u shpall fituese e konkursit për hartimin e projektit të parkut ujor për zhvillimin e qëndrueshëm turistik për zonën Drilon-Tushemisht.

Bashkia e Pogradecit bën të ditur se “nga pesë projekte të paraqitura nga pesë kompani shumë prestigjioze ndërkombëtare, fitues u zgjodh projekti i paraqitur i PROAP, si zgjidhja më e përshtatshme konceptuale për zonën”.

“Ky konkurs u organizua në vijim të një studimi të ndërmarrë në vitin 2017 si një nismë e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në bashkëpunim me bashkinë Pogradec. Me hartimin e këtij projekti sigurohet një shndërrim total i fytyrës së zonës Drilon-Tushemisht, duke e kthyer zonën në një nga destinacionet me atraktive në vend, duke e pasuruar me një muze ujor, rinovimin e fasadave ekzistuese, përmirësim dhe zhvillim infrastrukture bashkëkohore, rimodelim i sipërfaqes ujore etj”, thekson bashkia.

Juria e përbërë nga arkitektë dhe urbanistë të njohur vendas dhe të huaj si dhe nga zhvillues biznesi, e vlerësoi shumë konkursin dhe u shpreh e bindur që projekti dhe kompania e përzgjedhur do të sjellin një zgjidhje shumë të mirë për zhvillimin e zonës.
Projekti synon ta transformojë zonën në një destinacion të pakrahasueshëm ekoturistik, i cili mund të nxisë investime në turizëm që rrisin, promovojnë dhe vënë në veprim burimet natyrore, të cilat deri tani kanë qenë të pashfrytëzuara apo të nënshfrytëzuara.

Bashkia Pogradec shprehet se do të vazhdojë të bashkëpunojë me AADF dhe partnerë të tjerë duke sinkronizuar përpjekjet e të gjithë aktoreve në mënyrë që zona të kthehet në një nga destinacionet më të mira turistike në rajon, që krijon mundësi për biznes dhe zhvillim.

Drilon-Tushemishti është në një hapësirë e vogël gjeografike ku ndërthuren me shumë hijeshi disa nga perlat e natyrës shqiptare si: burimet e Drilonit, liqeni i Ohrit, shtëpitë karakteristike të zonës, rrugë të ngushta kalimi dhe peizazhe piktoreske, të cilat krijojnë një oaz të mrekullueshëm me mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit në zonë.

Pavarësisht mundësive të pasura natyrore që zona mund të ofrojë, potencialet e saj turistike janë ende të pazhvilluara. Sfida kryesore për zonën është mungesa e modeleve të personalizuara të turizmit dhe komercializimi i shërbimeve të tjera. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.