LONDËR, 18 shtator /ATSH-AFP/ – Kontrata e nënshkruar nga Katari për blerjen e 24 avionëve luftarakë “Typhoon Eurofighter” hyri sot në fuqi, njoftoi kompania BAE që mori pjesën e parë të pagesës së një kontrate prej 5 miliardë sterlinash.
“Kjo kontratë prej rreth 5 miliardë sterlinash (5,6 miliardë euro) hyri në fuqi kur morrëm pjesën e parë të pagesës sot”, shpjegoi në një komunikatë kompania britanike e armatimeve, anëtare e konsorciumit europian “Eurofighter” bashkë me francezin “Airbus” dhe italianin “Finmeccanica”.
Marrëveshja parashikon jo vetëm dhënien e 24 “Eurofighter” por edhe nëntë avionë trajnimi të përparuar të tipit “Hawk”, si dhe shërbimet përkatëse.
“Avionët pritet të fillojnë të livrohen duke filluar nga viti 2022”, theksoi kompania e prodhimit të avionëve. /G.S/