Basha: Vetingu i politikanëve, spastron institucionet

TIRANË,18 shtator /ATSH- I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke e paraqitur situatën në vend, si të kërcënuar nga krimi i lidhur me politikën, kërkon si domosdoshmëri vetingun e politikanëve.

Basha tha se “Gjykata Kushtetuese ka pushuari së ekzistuari, Gjykata e Lartë nuk ekziston, policia struket para krimit që po bënë kërdinë në qytetet tona. Kjo situatë ka vënë në pikëpyetje stabilitetin e vendit”.

Në vijim, Basha shtoi se për opozitën prioritet mbetet shkëputja e politikës dhe e qeverisë nga krimi. “Për këtë arsye i kemi dorëzuar Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi kërkesën për të mbledhur këshillin e legjislacionit dhe Komisionit Ligjeve, për të nisur procesin kushtetues të shqyrtimit të ligjit dhe amendamenteve kushtetuese për vetingun e politikanëve”.

Kryetari i PD-së tha se piketat kryesore ku do të mbështetet vetingu i politikanëve janë pesë.

“E para, propozimi është fare i thjeshtë. Është i njëjti formulim ligjor si për gjyqtarët dhe prokurorët, policët e gardistët. Ajo që kemi propozuar është sanksionimi i vetingut në politikë me të njëjtat norma, të njëjta parime si vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve”, – tha ai.

Më tej, Basha shpjegon se “ky do të jetë një proces, i cili do të kalojë mes pesë rregullave kryesore: E para, do të jetë një proces i pavarur dhe i lidhur me vetingun në drejtësi. E dyta, do të jetë një model i thjeshtë si modeli i dekriminalizimit, që nxori 333 persona nga Parlamenti dhe zyrat e shtetit. E treta, do të kryhet nga një strukturë profesionistësh të pavarur nga politika. E katërta, nuk do të ketë kurrë dhe kurrësesi një strukturë parlamentare, aq më pak një strukturë e bërë nga përfaqësues partiakë, sepse do të ishte tallëse dhe absurde që politikanët objekt të vetingut të jenë dhe zbatues të vetingut. E pesta, do ketë mbikqyrje ndërkombëtare”.

“Përcaktimin se çfarë është vetingu, se çfarë është lidhja e politikanëve me krimin e kemi në kushtetutë te ligji dhe te ligji i vetingut për  gjyqtarët dhe prokurorët. I njëjti definicion vetëm se zëvendëson fjalën, gjyqtarë me politikanë. Procedurën  si do të arrihet, si do të vërtetohen faktet, si do të arrihen në konkluzion, se si ky politikan është i lidhur me krimin i keni në Kushtetutë te ligji i vetingut. Modelin e kemi të ngjashëm me modelin e ligjit të dekriminalizimit, modeli më i qartë dhe me transparent që ka dhënë rezultatet e veta”, – tha ai.

Më tej, Basha theksoi se “vetingu i politikanëve as nuk e pengon, as nuk e ngadalëson, s’ka asnjë lidhje me vetingun e Drejtësisë, as me reformën e Drejtësisë, as me hetimet që do bëhen nga Byroja Kombëtare e Hetimeve apo SPAK, s’kanë asnjë lidhje, s’kanë asgjë të përbashkët. Çdo gjë që thuhet në këtë drejtim është mashtrim dhe propagandë”, – theksoi ai.

“SPAK dhe BKH, kanë mandat hetimin e politikanëve të korruptuar dhe dërgimin e tyre para drejtësisë. Janë dy gjëra të ndryshme. Vetingu i nxjerrë nga institucionet. SPAK dhe BKH i çojnë në burg. Në rastin e vetingut, barrën e provës e ka politikani kur është i lidhur me krimin. Në rastin e hetimeve penale, barra e provës është organit të akuzës”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.