Zv.ministrja Voda: Rritje identifikimit të viktimave të trafikimit

TIRANË, 17 shtator/ATSH/- “Përdorimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore”, ishte trajnimi i organizuar sot në Akademinë e Sigurisë, me mbështetjen e OSBE.

Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, deklaroi se “ky trajnim synon të kontribuojë në ngritjen e kapaciteteve të strukturave ligjzbatuese lidhur me përdorimin e teknologjisë për të identifikuar dhe luftuar trafikimin e qenieve njerëzore”.

“Policia e Shtetit dhe Zyra e Koordinatorit Kombëtar të Luftës kundër Trafikimit të Personave në bashkëpunim me OSBE, organizon këtë trajnim për t’u informuar rreth zhvillimeve të fundit në përdorimin e informacionit dhe teknologjisë për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, mbi legjislacionin shqiptar për trafikimin dhe shfrytëzimin e qenieve njerëzore përmes përdorimit të internetit, si dhe mbi bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Gjurmimi i parave në rastet e trafikimit dhe mbivendosja e hetimeve në trafikim”, – theksoi Voda.

Sipas saj, ideja për organizimin e trajnimit lindi gjatë evidentimit të rasteve të përdorimit të teknologjisë dhe internetit dhe nevoja për klasifikimin e këtyre rasteve si vepra penale dhe hetimin e veprës penale të trafikimit të personave nga punonjësit e Policisë.

“Ajo çfarë kërkohet nga strukturat ligjzbatuese dhe efektivët e Policisë së Shtetit, nisur nga rekomandimet e TIP Report të Departamentit Amerikan të Shtetit, është që duhet të rritet identifikimi në mënyrë konsekuente i viktimave të trafikimit mes individëve për prostitucion dhe për lypje të detyruar, sidomos mes fëmijëve të pashoqëruar, fëmijëve të rrugës dhe fëmijëve që kalojnë kufirin për të lypur”, – theksoi ndër të tjera zv.ministrja Voda. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.