Vlerësohet kontributi i Finlandës në arsimin kosovar

PRISHTINE, 17 shtator /ATSH/ -Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, me të cilën bisedoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në sektorin e arsimit.

Ministri Bytyqi ka falënderuar ambasadoren Stjernvall për mbështetjen që Finlanda i ka bërë zhvillimit të arsimit në Kosovë, ndërsa theksoi se kontributi i Finlandës si vendi me arsimin më të përparuar në botë është i veçantë në aspektin e mbështetjes profesionale në zhvillimin e reformave të arsimit dhe hartimin e kurrikulës së re të Kosovës.

Ambasadorja Stjernvall dhe ministri Bytyqi biseduan edhe për mundësinë e fillimit të një fushate në disa shkolla të Kosovës, ku do të bashkëbisedohet me nxënës të klasave I dhe IX lidhur me rëndësinë e ruajtjes së ambientit, ku dhe do të ndaheshin pako materialesh nga praktikat finlandeze për këtë qëllim.

Ministri Bytyqi e informoi Ambasadoren se MAShT se  ka angazhuar të gjitha institucionet arsimore në nivel vendi që t’i bashkohen fushatës për ruajtjen e ambientit dhe ka kërkuar nga mësuesit që të flasin sa më shumë me nxënësit për këtë temë.

Gjithashtu, ministri Bytyqi tha se edhe në kurrikulën e re, në hartimin e së cilës morën pjesë ekspertë nga Finlanda, i është kushtuar rëndësi e veçantë çështjes së ambientit. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.